Text Size

Aksion simbolik për personat e pagjetur në Kosovë

Printer-friendly versionPrinter-friendly versionSend by emailSend by email

Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut - Kosovë (YIHR KS) dhe aktivistët e saj, me rastin e 10 dhjetorit - Ditës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, në mesditën e së martës organizuan një aksion simbolik, përmes të cilit kërkuan zbardhjen e fatit të personave të pagjetur në Kosovë.

Në këtë aksion, para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës dhe ekranit jofunksional që zëvendësoi fotografitë e personave të pagjetur të vendosura në rrethojat e Parlamentit aktivistët vendosën 1.721 balona me pikëpyetje, që simbolizonte, çështjen e pazgjidhur të personave të pagjetur.

“Që nga përfundimi i luftës në Kosovë 14 vite më parë, familjarët e personave të pagjetur dhe shoqëria kosovare nuk kanë informata lidhur me fatin e 1.721 personave të pagjetur. Prandaj, YIHR KS dhe aktivistët e saj kërkojnë nga institucionet përgjegjëse që të ndërmarrin hapa të menjëhershëm dhe konkret për të zgjidhur këtë çështje, në mënyrë që e drejta për të ditur të vërtetën dhe e drejta për drejtësi të realizohet sa më parë. YIHR KS gjithashtu kërkon që kjo temë urgjentisht të përfshihet si prioritet i dialogut Kosovë – Serbi, në mënyrë që të hapë rrugën për ballafaqim me të kaluarën e afërt”, thuhet në kumtesën e Nismës.

Aksionit të sotëm iu bashkuan aktivistë për të drejtat e njeriut, përfaqësues të institucioneve e organizatave vendore dhe ndërkombëtare.

Share this