Text Size

Dita Ndërkombëtare e Romëve: Romët duan të janë partnerë në gjetjen e zgjidhjeve për problemet e tyre

Printer-friendly versionPrinter-friendly versionSend by emailSend by email

9 prill 2013 - Dita Ndërkombëtare e Romëve është shënuar dje, më 8 prill 2013, në mbarë botën. Më poshtë është një pasqyrim i shkurtër i aktiviteteve të cilat shënojnë Ditën Ndërkombëtare të Romëve në rajonin e Ballkanit Perëndimor

Më 8 prill, Presidenti i Shoqatës së Romëve Euro Rom nga Tuzla Nedzad Jusiz porositi organizatat ndërkombëtare, strukturat udhëheqëse dhe bashkëkombësit e rij rom se vetëm një përpjekje e përbashkët mund të sjellë deri tek zgjidhja e problemeve të popullatës rome në Bosnje dhe Hercegovinë dhe se romët duan të janë partnerë të institucioneve në krijimin e politikave të cilat kanë për qëllim të përmirësojnë statusin e romëve në BeH.

Media Art Club of Romaverzitas with their interactive wall (Photo Radiomof)Media Art Club dhe Romaverzitas me murin e tyre interaktiv (Foto Radiomof)

Jusic shtoi se statusi i romëve në BeH ilustrohet lehtazi me faktin se më shumë se 95% e romëve në vend nuk ka asnjë pagë të rregullt mujore, se një në dy romë kanë mungesë të sigurimit shëndetësor, se pothuajse dy të tretat e romëve jetojnë në kushte nën-standard dhe një numër i madh i fëmijëve romë lihen jashtë sistemit shkollor.

Indira Bajramovic, presidente e Shoqatës së Grave Rome për të Ardhme më të Mirë (“Bolja buducnost”) i tha Zërit të Amerikës në gjuhën boshnjake se romët përballen me diskriminim në baza ditore, ani pse të gjithë qytetarët mendohet të janë të barabartë para ligjit.

“Ishte një shpallje për vend pune, ata kërkonin tetë pastruese, dhe kur u paraqitën tetë gra rome, atyre aty për aty u thanë: 'Jo, ju s’bëni'. Ky ishte një diskriminim tërësisht i hapur. Fatkeqësisht, pak njerëz vendosin të ngritin padi dhe të raportojnë rastet e tilla pasi që romët besojnë se, edhe nëse akuzojnë dikë, ai/ajo nuk do të fitojë në gjyq sepse janë romë. Thjesht, shoqëria ka pozicionuar veten ndaj romëve në atë mënyrë”, tha Indira Bajramovic.

Më 1 prill, në Sarajevë u hap ekspozita e fotografive “Mund ta bësh, nëse do” nga Almin Zrno, e organizuar si pjesë e një programi të aktiviteteve për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Romëve 2013, 8 Prillin, dhe iu përkushtua fushatës për përmirësimin e arsimimit të fëmijëve romë. Ekspozita mbyllet nesër, më 10 prill.

Ngjarja qendrore për të shënuar Ditën e Romëve në Kroaci u mbaj në Muzeun Mimara në Zagreb. Ngjarja, e organizuar nga Këshilli Kombëtar i Romëve të Kroacisë, organizatë ombrellë e romëve në vend, mblodhi përfaqësuesit e zyrave më të larta të shtetit, trupin diplomatik, përfaqësuesit e romëve nga të gjitha anët e Kroacisë dhe organizata e institucione tjera.

Një ditë më herët, më 7 prill, shfaqja e filmit “Jevgu i Shangait” u mbajt në Kinemanë Metropolis të Muzeut të Arteve Moderne në Zagreb.

Avokatja e Popullit Lora Vidovic u uroi Ditën e Romëve të gjithë romëve dhe nënvizoi se kultivimi i kulturës, gjuhës dhe traditave të romëve përcakton nivelet e tolerancës dhe demokracisë së shoqërisë në të cilën ata jetojnë.

Në Serbi, Shoqata e Romëve YUROM nga Nishi, në një deklaratë publike, ia rikujtoi publikut se romët do të mund ta kishin më mirë pa një festë të tyre, sepse për çdo 8 prill atyre u përkujtohet dhuna që e vuajnë, refuzimi për të pranuar dorën e bashkëpunimit të cilën ata e ofrojnë, parullat e barazisë të cilat nuk aplikohen për romët, jeta në geto, fakti se vetëm një në njëqind romë jeton deri në moshën 60 vjeç dhe që ata duhet të përqendrohen derisa këndojnë këngët më të dhimbshme dhe më të bukura në botë.

“Qindra romë me diploma universitare qëndrojnë në shtëpitë e tyre apo punojnë në organizata jo-përfituese në vend të pak atyre që (deri në shkallën që pjesëtarët e komunitetit shumicë munden) të punojnë në sektor të vërtetë apo të ulen në organet përfaqësuese”, thotë YUROM.

Në Ditën Ndërkombëtare të Romëve, kryetari i Beogradit Dragan Djilas, Kryesues i Delegacionit të BE-së në Serbi Vincent Degert, dhe Gre Tindel, nënshkruan Protokollin për Bashkëpunim dhe Pjesëmarrje të Qytetit të Beogradit në projektin për ofrimin e strehimit për familjet rome nga vendbanimet nën-standard “Belville” e “Gazela”.

Zyra Qeveritare për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave organizoi konferencën “Romët në mes të Përfshirjes dhe Integrimeve Evropiane” në Beograd.

Në Mal të Zi, Qendra e Nismave Rome nga Nikshiqi, më 8 prill, organizoi performancën e shfaqjes së forumit “Pasqyra e Shpirtit Tonë”, e cila synoi të paraqesë trashëgiminë kulturore rome.

Punëtoria dhe shfaqja, me pjesëmarrje të aktivistëve të rinj të Qendrës së Nismave Rome, u zbatua nga Qendra për Edukim Dramatik me qendër në Mostar (BeH). Shfaqja synoi të paraqesë identitetin rom dhe traditën e pasur gojore të ruajtur nga romët ndër shekuj.

Rrjeti i Grave RAE (Rome, Ashkali dhe Egjiptiane) "First" organizoi konferencën e parë kombëtare "Martesat e Detyruara dhe me Mblesëri”. Pjesëmarrëset dërguan një porosi se aktivitetet që fuqizojnë ikjen nga varfëria, emancipimi i grave nga grupet e komuniteteve të margjinalizuara duhet të mbështeten. Po ashtu, gratë e komuniteteve të margjinalizuara kanë nevojë për ndihmë për të përmirësuar statusin e tyre ekonomik dhe social.

Në Maqedoni, Klubi i të Rinjve të Komunës së Shuto Orizarit (komuna e vetme me shumicë rome në Evropë) organizoi një aksion për dhurim të gjakut.

Anëtarët e Klubit Media Art të shoqatës Romaverzitas u bënë thirrje të gjithë pjesëtarëve të shoqërisë maqedonase për mirëkuptim të dyanshëm dhe pranim, pa marrë parasysh ngjyrën e lëkurës, prapavijën kombëtare, politike apo sociale. Për të shkulur paragjykimet, anëtarët e Klubit përgatitën një mur interaktiv me porosinë “Jeta e Jashtme nuk Reflekton Jetën e Brendshme”, me qëllim të theksimit se të gjithë ne jemi njerëz gjak e mish, të ndryshëm por prapë të njëjtë.

Romaverzitas, në bashkëpunim me fondacionin IDEA Evropa Juglindore, organizuan një debat publik në temën “Edukimi joformal vlerësohet më shumë se edukimi formal në tregun e punës”, i cili konkludoi se arsimi, qoftë formal apo joformal, është çelësi i suksesit për të rinjtë romë në Maqedoni dhe në botë.


Dita Ndërkombëtare e Romëve i gjeti romët në Kosovë në një situatë të vështirë në të cilën, ata thonë, se u ndalohet ushtrimi i plotë i të drejtave të tyre. Përfaqësuesi i romëve Haxhi Merxha, premtoi falënderimin e romëve për mbështetjen e qeverisë, raportoi transmetuesi publik – RTK, ndërsa mbështetje po ashtu u premtua nga Ambasadorja e Amerikës në Prishtinë Tracey Ann Jacobson, gjatë vizitës së saj në komunitetin rom në Vushtrri.

Fëmijët dhe të rinjtë romë marshuan nëpër rrugët e Prishtinës, deri tek Qeveria e Kosovës, dhe kërkuan të drejtat e tyre në arsim, punësim dhe trajtim më të mirë nga autoritetet.

Më 8 prill, Zyra e PNUD-së në Shqipëri ka prezantuar Ambasadorët e Vullnetit të Mirë për çështjet e komunitetit rom. Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë Ettore Sequi shfrytëzoi rastin për të kërkuar përfshirje më të mirë të komunitetit rom në shoqërinë shqiptare dhe zotoi mbështetjen e BE-së për këtë proces.

Një numër i personaliteteve aktive në fusha të ndryshme u emëruan Ambasadorë të Vullnetit të Mirë të cilët do të kontribuojnë për përfshirjen sociale të komunitetit rom dhe egjiptian, për të rritur ndërgjegjësimin publik ndaj sfidave me të cilat përballen këto dy komunitete dhe të promovojnë kulturën dhe vlerat rome.

Dita Ndërkombëtare e Romëve është shënuar për të 41-tën herë, në nderim të Kongresit të Parë Botëror të Romëve të mbajtur më 8 prill të vitit 1971 në Londër. Kjo ditë është krijuar për të ngritur vetëdijen për pozitën e vështirë të romëve dhe nxiti shtetet në të cilët ata jetojnë t’u kushtojnë vëmendje më të madhe përmirësimit të statusit dhe pozitës së tyre.

Share this