Text Size

FOL: Vetëm 45% e tatimit të faturuar në pronë paguhet

Printer-friendly versionPrinter-friendly versionSend by emailSend by email

Lëvizja FOL ka publikuar të hënën raportin analitik “Tatimi në Pronë në Komunat e Kosovës”. Në këtë raport analizohet shkalla e inkasimit të tatimit të faturuar në pronë nga ana e komunave të Kosovës si dhe rëndësia e këtij inkasimi për qëndrueshmërinë financiare të komunave.

Kenan Tora nga Lëvizja FOL tha se “ky raport është përgatitur duke u bazuar në të dhënat mbi inkasimin e tatimit të faturuar në pronë të ofruara nga ana e vet komunave pas kërkesës që FOL paraprakisht ju ka drejtuar të njëjtave dhe se qëllimi i raportit është që të paraqes një pasqyrë reale të inkasimit të tatimit të faturuar në pronë nga ana e komunave”.

FOL ju ka drejtuar me kërkesë për qasje në këto të dhëna 34 komunave, ku 26 nga ato kanë ofruar të dhënat me ç’rast të dhënat e katër komunave nuk kanë qenë në formatin e kërkuar për analizë. Ndërsa komunat të cilat nuk janë përgjigjur në kërkesën e Lëvizjes FOL për qasje në dokumente publike janë: Komuna e Prizrenit, Deçanit, Klinës, Lipjanit, Shtërpcës, Kllokotit, Mamushës dhe Parteshit. Lëvizja FOL ka dërguar në zyrën e Avokatit të Popullit ankesën për refuzimin në kërkesën për qasje në dokumente publike nga ana e këtyre komunave dhe do të vazhdojë procedurat tjera ligjore për realizimin e të drejtës për qasje në dokumente publike. 

Më tutje Kenan Tora deklaroi se “tatimi në pronë është njëri nga burimet më të rëndësishme të të hyrave vetanake të komunave, të cilat specifikohen në nenin 8 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale si burime financiare që duhet t’u sigurohen komunave për t’u shfrytëzuar për ofrimin e shërbimeve qytetarëve”.

Duke u bazuar në të gjeturat e raportit, në kuptim të madhësisë, të hyrat vetanake historikisht përbënin rreth 17% të të hyrave totale komunale në çdo vit. Brenda të hyrave vetanake, tatimi në pronë është më i rëndësishmi që zë rreth 30% të të hyrave vetanake dhe në mesatare për vitin 2012, tatimi në pronë i faturuar përbën rreth 4% të buxhetit total të komunave të analizuara. Sa i përket përbërjes së faturës së tatimit në pronë, në bazë të të dhënave të ofruara për vitin 2012 nga 22 komunat, 80% e vlerës së faturuar ka të bëjë me vlerën e tatimit në pronë për vitin përkatës. Kurse pjesa e mbetur përfshin faturimin e kamatave për vonesat për vitet paraprake (15% e vlerës totale të faturuar) dhe me faturimin e dënimeve për mospagesë me kohë të kësteve të tatimit në pronë për vitet paraprake (5% e vlerës totale).

Nga të dhënat e analizuara shihet se 69.22% të vlerës totale të faturuar është inkasuar. Mirëpo, sipas Kenan Torës “kjo pasqyrë është e shtrembëruar, pasi në këtë inkasim përfshihen të gjitha inkasimet ku bëjnë pjesë edhe inkasimet e borxheve të vjetra, inkasimet e dënimeve dhe kamatave”. Pas analizës del se vetëm 52% e shumës së inkasuar ka të bëjë me pagesën e tatimit në pronë për vitin aktual (2012), ndërsa 48% e pagesave të inkasuara nga komunat në emër të tatimit në pronë kanë të bëjnë me pagesa të borxheve të vjetra (38%), pagesë të kamatave për vonesa (7%) si dhe dënimeve për tejkalim e afateve ligjore për pagesë (3%).

Një çështje edhe më problematike është se nga shuma e inkasuar që ka të bëjë me pagesën e tatimit në pronë për vitin aktual (2012) pa dënime dhe kamata shohim se vetëm 45% e tatimit në pronë të faturuar për vitin 2012 është inkasuar nga komunat e analizuara. Kjo paraqet një çështje shumë të rëndësishme, pasi një shkallë e inkasimit nën 50% të vlerës së tatimit në pronë të faturuar për një vit përkatës do të thotë se borxhet totale për tatimin në pronë çdo vit rriten për mbi 50% të vlerës së faturuar.

Share this