Text Size

Të verbrit kërkojnë pjesëmarrje në procese vendimmarrëse

Printer-friendly versionPrinter-friendly versionSend by emailSend by email

Në një tryezë të organizuar nga Shoqata e të Verbërve të Kosovës, ku morën pjesë edhe deputetë nga Kuvendi i Kosovës dhe përfaqësues nga Shoqata e të Verbërve të Shqipërisë, u diskutua pjesëmarrja e të verbërve në proceset vendimmarrëse në Kosovë, raporton Koha.net.

Sinan Tafaj, kryetar i shoqatës së të verbërve në Shqipëri, theksoi problemet që të verbrit hasin duke filluar nga pjesëmarrja në vendimmarrje brenda familjes. Shumë vendime tha ai merren për ne duke filluar nga vet familja, pa na pyetur fare neve.

“Duke qenë se ne jemi ende shoqëri patriarkale, gjendja është edhe më e keqe për femrat e verbra të cilat pothuaj nuk kanë fare ndikim në vendimet që marrin për vet ato. E njëjta gjendje përcillet edhe te institucionet dhe në shoqëri. Edhe pse ka përparime në këtë drejtim dhe kohëve të fundit si në Shqipëri edhe në Kosovë janë hartuar ligje që mbrojnë të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, përfshi të verbrit, gjendja ende nuk është e dëshirueshme”, tha Tafaj.

Ai theksoi se personat me aftësi të kufizuara vazhdojnë të jenë të përjashtuar nga proceset vendimmarrëse. “Ka raste kur themelohen shoqata të ndryshme për mbrojtjen e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara, por që drejtohen nga njerëz që nuk kanë ndonjë aftësi të kufizuar dhe nuk i njohin problemet me të cilat ne ballafaqohemi”, shtoi Tafaj.

Ai porositi të verbrit në Kosovë që të jenë edhe më aktivë dhe të kërkojnë vazhdimisht realizimin e të drejtave të tyre.

Suzana Novobërdalia, deputete ne Kuvendin e Kosovës, theksoi se janë bërë shumë përparime drejt përmirësimit të gjendjes së personave me aftësi të kufizuara. Ajo përmendi faktin se Ligji për të verbrit është hartuar në bashkëpunim të ngushtë me shoqatën e të verbërve dhe se asnjë ndryshim nuk është bërë pa miratimin e tyre.

Megjithatë, ajo pranoi se ka ngecje në zbatimin e tij dhe për këtë ajo fajëson qeverinë.

Edhe deputetja tjetër Kymete Bajrakati, e cila po ashtu drejton komisionin për monitorimin e zbatimit të ligjit të të verbërve, konfirmoi se ka ngecje në zbatimin e ligjit për të verbrit.

“Gjatë procesit të monitorimit të këtij ligji”, tha ajo, “kemi pa se vetëm Ministria e Punës ka nxjerrë një rregullore për themelimin e komisionit mediko-social ndërsa asnjë nga ministritë tjera nuk kanë nxjerrë aktet nënligjore siç parashihet me këtë ligj”.

Share this